1. Skip to Menu
  2. Skip to Content
  3. Skip to Footer
  • Last Modified: E premte 15 Prill 2016.

Therja e kurbanit për të vdekurit

Dijetarët e mëhershëm janë të mendimit se nuk lejohet të theret kurbani për të vdekurin, pa marrë parasysh nëse ai e ka lënë apo nuk e ka lënë testament therjen e kurbanit, apo dikush vullnetarisht dëshiron ta kryejë për të.

Ky është mendimi i katër medhhebeve: hanefi, maliki, shafi dhe hanbeli, të cilat janë shembull për t’u ndjekur pas të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem, pas shokëve të tij e pastaj vijnë këta dijetarë, të cilët më së miri i kuptuan argumentet fetare.

Medhhebi hanefi:

Nuk lejohet therja e kurbanit për të vdekurit, pasi që për një gjë të tillë nuk ka argument.

Therja, që e kryen trashëgimtari i të vdekurit, nuk pranohet, ngase ajo nuk është e lejuar. Bedai Es-Sanai.

Medhhebi maliki:

Imam Maliku thotë: “Nuk e pëlqej therjen e kurbanit për prindërit e vdekur.”

Nëpër komentet e kësaj thënieje të tij është dhënë arsyeja: “Ngase kurbani është dispozitë për të gjallët, e jo për të vdekurit.”

Në librin Mevahib el-Xhelil li sherh muhtesar Halil është përmendur se kurbani për të vdekurit është veprim i urryer (mekruh).

Medhhebi shafi:

Në librat fikhorë të medhhebit shafi përmendet se sevapi i kurbanit nuk i arrin të vdekurit, as leximi (i Kuranit) e as haxhi vullnetar.

Në librin El Muhtaxh sherh el Minhaxh thuhet: “Nuk lejohet therja e kurbanit për të vdekurit.”

El Ikna Fi Hil El Fadh Ebi Shuxha ka thënë: “… dhe nuk lejohet therja e kurbanit për dikë tjetër, madje qoftë ai edhe i vdekur, siç nuk lejohen as adhurimet e tjera.”

Mugni Muhtaxh të medhhebit shafi thuhet: “Nuk lejohet therja e kurbanit për dikë tjetër pa lejen e tij, e as për të vdekurin.”

Medhhebi hanbeli:

Në medhhebin hanbeli nuk haset askund ta ketë përmendur Ahmed ibn Hanbeli therjen e kurbanit për të vdekurit e as ithtarët e medhhebit të tij (hanbelitë), çka tregon se një gjë e tillë nuk ka qenë e njohur në kohën e tyre.

As dijetarët e tjerë nuk e pëlqenin një veprim të këtillë, siç citon imam Tirmidhiu në Sunenin e tij se Abdullah ibn Mubareku ka thënë: “Parapëlqej dhënien e sadakasë kundrejt therjes së kurbaneve për të vdekurit.”

Ja pra, i tillë është mendimi i dijetarëve të mëdhenj, të cilët duhet pasuar, ngase për një gjë të tillë na ka urdhëruar Allahu i Lartësuar në Kuran, tek thotë: “... andaj pyetni dijetarët e Librit, nëse nuk dini.” (Nahl, 43)

Veprat prej të cilave përfiton i vdekuri janë vetëm ato që na i ka treguar i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, tek thotë: “Kur njeriu vdes, i ndërpriten (të gjitha) punët e tij, përveç triave: sadakaja rrjedhëse, dija nga e cila përfitojnë të tjerët dhe fëmija i mirë që lutet për të.”

Në fund, e lusim Allahun e Lartësuar që të sëmurët tanë t’i shërojë, të vdekurit tanë t’i mëshirojë dhe mëkatet tona të na i falë!

 

www.studio-rejan.com